Spitale që sëmurin edhe të shëruarin.

Historia personale dhe kolektive e familjeve shqiptare është e tejmbushur me probleme që konkurojnë njëri-tjetrin në klasifikimin që mund ti bëhet hierariksht të keqes. Historikisht kemi arsye përse të ankohemi edhe pse më duket se vetëm heroikisht mund të luftohet me disa situata që  më tepër se të pamundura janë absurde. E lufta me absurditetin është paksa absurde për të dhënë rezulatate. Por që të kesh rastin dhe fatin të bësh diçka duhet minimalisht të gëzosh shëndet, pra të jesh mirë dhe kjo për aq sa i takon fuqisë së njeriut i është lënë në dorë kujdesit spitalor.

13020305_1141344055918581_1246614000_n

Në Shqipëri eksperienca spitalore është në sfidë të vazhdueshme. Pamjet që kam sjellë i përkasin një dite të zakonshme në Spitalin Ushtarak. Vihet re që ende vazhdojnë format e kahershme të transportimit të pacientëve nga shtëpia drejt spitalit, apo te spitalit drejt një tjetër spitali po aq problematik. Kjo është dëshmi e qartë e mosfunksionimit të ambulancave dhe sistemit mjeksor në tërësi.

13020520_1141344092585244_563469162_nDhembja që një familjar ndien domosdo duhet përjetuar e përzier me stresin, pafuqinë dhe indiferencën që has qysh sa përballet me ndihmën e parë që nuk të jepet. Bëre si bëre dhe zure diku një krevat brenda një dhome me zëra që rënkojnë prej brengës së sëmundjes dhe tërbimit që askush si vëren, por nuk mbaron këtu fillimi. Nuk e di sa rëndë duhet të jesh që një mjek të marrë seriozisht ty për hir të sëmundjes tënde. Kështu varfëria bëhet shkaku i çdo simptome: ajo të sëmur ty dhe çdo familjar të pa sëmurë.

Familjarët janë ata pa  të cilët nuk mund të mbijetosh në një spital të modeluar kështu çrregullt edhe pse rregullorja parashikon që ata të mbeten jashtë përveç orareve të caktuara.Gjithmonë kam menduar se përse kjo është një prej pikave që nuk zbatohet duke qenë se praktikisht është e lehtë: një roje që nuk të lejon të futesh jashtë orarit të vizitave dhe kaq, njerëzit vetëdijësohen dhe edukohen me të ndaluarën. Por, nëse nuk do ishte gatishmëria e të afërmve të pacientit për tu kujdesur deri në blerjen e ilaçeve çfarë do të ndodhte vallë? A do të ishte i aftë spitali të përballonte kujdesin ndaj të sëmurit?

12988195_1141344145918572_943584127_n

Në dyert e të gjitha pavioneve lexon shprehimisht me shkronja kapitale: ‘’Nuk lejohet më shumë se një familjar për pacient’’, ndërkohë paralelisht me të ndodhet një korridor dhe disa dhoma të tejmbushur me njerëz që vizitojnë dikë apo që luajnë rolin e infermierëve, pastrueseve apo transportuesve.

13020426_1141344099251910_968636246_n

Solidariteti midis bashkëvuajtësve të korridoreve krijon ashtu jovetedijshëm tavolina si gjysëm te rrumbullakëta ku ndoshta duke u folur dhimbja e revolta bashkëndahet disi. Por askush nuk do të donte që ndërsa pret jashtë reanimacionit një lajm që gjithçka ka shkuar mirë të ngarkohej me batanije, ushqime dhe të luftojë për një stol brenda mureve të spitalit kur jashtë tek stolat në park bie shi.

13020330_1141344139251906_1050017083_nTë moshuar që kanë nevojë të kenë një vëmendje dhe kujdes të veçantë shtetëror si nga ana monetare ashtu dhe nga ajo humanitare janë të detyruar të rraskapiten korridoreve nëpër shtretër të sajuar mbi stola.Edhe shkallët nuk bëjnë përjashtim në tejmbushjen e tyre më njerëz që nuk kanë para për të përballuar spitale private të papërballueshme për nivelin e shqiptarëve të zakonshëm.Sëmundja dashur pa dashur shtrihet në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që ulur përjetojnë vuajtjen fizike të të dashurit të tyre dhe vuajtjen shpirtërore të vetën dhe të ngjashmit të vet.

Problemet e spitaleve janë aq sa të njohura e të thëna, aq edhe të freskëta dhe të nevojshme për t’u rithënë, të gjendshme kurdo që ti përballesh me të tillë realitet. Kaosi reflektohet brenda në dhoma, pavione, korridore madje edhe në kafene që zhurmojnë prej ankesave. Vështirë të shërohesh aty ku ata të cilët të qëndrojnë afër në mungesë të ndihmës spitalore duke u bërë mjekët e tu, sëmuren bashkë me ty brenda atyre mureve spitalore.

 

 

Advertisements

Një kafe nën skelë.

Në Tiranë është çështje luksi të ankohesh për mungesën e estetikës në një kohë kur vihet në diskutim jetikja.

12993003_1139441062775547_2020603222_nDuke ecur rrugëve për t’ia liruar trotuarin një tjetër kafeneje, nuk di nëse duhet të shqetësohesh për skelën mbi kokë, për trotuarin që më s’të përket, për makinat që vijnë përballë apo për shijen e makiatos që dikush po pi nën skelë. Çudia pason çudinë.

12992279_1139441109442209_801385328_n

Ngjarja këtë herë po ndodh në ‘’Rrugën e Durrësit’’, aty ku rikonstruktimi i ballinave të disa pallateve duhet patjetër të kompensohet me shëmtinë e disa tavolinave klandestine që edhe para se të ishin këto skela shtynin trotuarin në rrugë. Në një pikëtakim të nevojës për siguri të qytetarit që ecën dhe atij që punon, me qytetarin që rrëmujshëm dhe rrezikshëm preferon të pijë një kafe, ndodhem unë dhe të gjithë ne që kemi hequr dorë nga të menduarit teksa ecim. Ne duhet vetëm të imagjinojmë se ku vallë mund të jenë vijat e bardha dhe të kapërcejmë në trotuarin e anës tjetër, për ta parë  atë distancë  të afërt si një botë të largët.

Ndonjëherë mjafton një segment i shkurtër i një prej rrugëve më të rëndësishme të këtij qyteti për të kuptuar rrënimin e biznesit apo pangopjen e tij, kafenetë e dekafeinizuara që nuk mbajnë më zgjuar njeri prej imunitetit që ka krijuar e fjetura në një Tiranë që zhurmon prej borive që paralajmërojnë këmbësorin se ai pothuajse nuk ka më vendin që i takon.

 

Qeveria e re dhe pritshmëritë.

Jetësimi  i  një  qeverie  të  re, në  thelb  të  saj  përmban  arsenalin  e  një  shumice  votuese që  pritshmëritë  i ka  pozitive. Në  shkallë  vendi  rezultati  favorizues  për  një  forcë  të  caktuar  është  tërthorazi  tregues   i  një  shprese popullore  të deleguar  prej   pozitës  së  shkuar  zhgënjyese  drejt  forcës  qeverisëse  së  tanishme. Realiteti  i   ri  politik  ngërthen  në  vetvete  dy  akse: atë  që  e reja  e ardhur  do  bëjë  më  ndryshe  për  mirë  krahasimisht  me  të  shkuarën   dhe  sa  veprime  politikisht  të  padrejta  do  i  asimilojë    si  precedentë  negativë  të  së  shkuarës, për  të  ndërtuar  relitetin  vizionar  që  audienca   pret.

Pritshmëritë  pra, në  një  fare  mënyre   e  ndajnë   publikun  në  shpresues që nuk  kanë ç’bëjnë  tjetër  veçse  të  shpresojnë,  sado  kritikisht  apo  racionalisht  ta  bëjnë  këtë  dhe  në   besues  të  kauzave  programore  të  Rilindjes.Fushata, zgjedhjet  dhe  rezulatati  konfiguruan  të  njësuar  verdiktin. Popullit  i’u premtua  Rilindje, ata  zgjodhën  të  besonin  dhe  tashmë   presin  për  të.

A  është  i lexueshëm     në  audiencë  impakti  i  hapave  të  para  të  qeverisë? Koha  e  shkurtër  nuk  lejon  përcaktimin  e  një  mendimi  të  konsoliduar, por  sipërfaqësisht  është  krijuar  një  ide, e  thënë  kjo  subjektivisht. Shqiptari  i  revoltuar   ka  nevojë  të  entuziasmohet  nga  ndryshimi  që  ndodh  për  pak  ditë, nga  e  shëmtuara  që  bëhët  e  bukur  aq  sa  shpejt, aq  dhe  dukshëm. Shqiptari  i  uritur  fillimisht  kerkon  një  ushqim  të  shpejtë, se  nuk  pret  dot  vaktin  e  gatuar  sipas  recetës  apo  dhe  gotën  shoqëruese   të  verës.

Krahas hedhjes  së  farës  së  ndryshimeve  rrënjësore, akt  ky  që  s’mund  ti  përshfaqë  rezulatet  në  një  fazë  kaq  të  hershme, në  rast  se  do  japë  rezultatet  e  kërkuara, janë  vënë  re    theksueshëm  ndryshimet  estetike, nëse  mund  ti  quajmë  të  tilla. Publiku  po  ndien  frymën  e  të  resë, qytetari  teksa  del  nga  spitali  vë  re  se  trotuari  është  i  veti.Ndërkohë, ai  shpreson  që  jo  larg  në  kohë, teksa  del  nga  dera e  spitalit  dhe  ecën  lirshëm  në  trotuar, të  mos  i duhet  të  mendojë    borxhet  e  marra  për  ilaçet! Shpresojmë  që  e  pritshmja  të  bëhet  reale.

ALMA NIKOLLI