Historia personale dhe kolektive e familjeve shqiptare është e tejmbushur me probleme që konkurojnë njëri-tjetrin në klasifikimin që mund ti bëhet hierariksht të keqes. Historikisht kemi arsye përse të ankohemi edhe pse më duket se vetëm heroikisht mund të luftohet me disa situata që më tepër se të pamundura janë absurde. E lufta me absurditetin është paksa absurde për të dhënë rezulatate. Por që të kesh rastin dhe fatin të bësh diçka duhet minimalisht të gëzosh shëndet, pra të jesh mirë dhe kjo për aq sa i takon fuqisë së njeriut i është lënë në dorë kujdesit spitalor.
Në Shqipëri eksperienca spitalore është në sfidë të vazhdueshme. Pamjet që kam sjellë i përkasin një dite të zakonshme në Spitalin Ushtarak. Vihet re që ende vazhdojnë format e kahershme të transportimit të pacientëve nga shtëpia drejt spitalit, apo te spitalit drejt një tjetër spitali po aq problematik. Kjo është dëshmi e qartë e mosfunksionimit të ambulancave dhe sistemit mjeksor në tërësi.
Dhembja që një familjar ndien domosdo duhet përjetuar e përzier me stresin, pafuqinë dhe indiferencën që has qysh sa përballet me ndihmën e parë që nuk të jepet. Bëre si bëre dhe zure diku një krevat brenda një dhome me zëra që rënkojnë prej brengës së sëmundjes dhe tërbimit që askush si vëren, por nuk mbaron këtu fillimi. Nuk e di sa rëndë duhet të jesh që një mjek të marrë seriozisht ty për hir të sëmundjes tënde. Kështu varfëria bëhet shkaku i çdo simptome: ajo të sëmur ty dhe çdo familjar të pa sëmurë.
Familjarët janë ata pa të cilët nuk mund të mbijetosh në një spital të modeluar kështu çrregullt edhe pse rregullorja parashikon që ata të mbeten jashtë përveç orareve të caktuara.Gjithmonë kam menduar se përse kjo është një prej pikave që nuk zbatohet duke qenë se praktikisht është e lehtë: një roje që nuk të lejon të futesh jashtë orarit të vizitave dhe kaq, njerëzit vetëdijësohen dhe edukohen me të ndaluarën. Por, nëse nuk do ishte gatishmëria e të afërmve të pacientit për tu kujdesur deri në blerjen e ilaçeve çfarë do të ndodhte vallë? A do të ishte i aftë spitali të përballonte kujdesin ndaj të sëmurit?
Në dyert e të gjitha pavioneve lexon shprehimisht me shkronja kapitale: ‘’Nuk lejohet më shumë se një familjar për pacient’’, ndërkohë paralelisht me të ndodhet një korridor dhe disa dhoma të tejmbushur me njerëz që vizitojnë dikë apo që luajnë rolin e infermierëve, pastrueseve apo transportuesve.
Solidariteti midis bashkëvuajtësve të korridoreve krijon ashtu jovetedijshëm tavolina si gjysëm te rrumbullakëta ku ndoshta duke u folur dhimbja e revolta bashkëndahet disi. Por askush nuk do të donte që ndërsa pret jashtë reanimacionit një lajm që gjithçka ka shkuar mirë të ngarkohej me batanije, ushqime dhe të luftojë për një stol brenda mureve të spitalit kur jashtë tek stolat në park bie shi.
Të moshuar që kanë nevojë të kenë një vëmendje dhe kujdes të veçantë shtetëror si nga ana monetare ashtu dhe nga ajo humanitare janë të detyruar të rraskapiten korridoreve nëpër shtretër të sajuar mbi stola.Edhe shkallët nuk bëjnë përjashtim në tejmbushjen e tyre më njerëz që nuk kanë para për të përballuar spitale private të papërballueshme për nivelin e shqiptarëve të zakonshëm.Sëmundja dashur pa dashur shtrihet në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që ulur përjetojnë vuajtjen fizike të të dashurit të tyre dhe vuajtjen shpirtërore të vetën dhe të ngjashmit të vet.
Problemet e spitaleve janë aq sa të njohura e të thëna, aq edhe të freskëta dhe të nevojshme për t’u rithënë, të gjendshme kurdo që ti përballesh me të tillë realitet. Kaosi reflektohet brenda në dhoma, pavione, korridore madje edhe në kafene që zhurmojnë prej ankesave. Vështirë të shërohesh aty ku ata të cilët të qëndrojnë afër në mungesë të ndihmës spitalore duke u bërë mjekët e tu, sëmuren bashkë me ty brenda atyre mureve spitalore.